Ermal Meta do të rikthehet në Tiranë për një tjetër koncert. Këngëtari me origjinë shqiptare që ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm në Itali, ka konfirmuar se koncerti do të mbahet me date 29 Korrik në Stadiumin Air Albania. Lajmin e ka bërë me dije këngëtari në një intervistë për mediat italiane.

“Më 29 Korrik do të jem në Stadiumin Air Albania në Tiranë. Kanë kaluar 30 vjet kur regjimi u shemb dhe ne menduam se do ta festonim me muzikë. Unë jam italian dhe shqiptar dhe jam zgjedhur të bëj një koncert në nder të popullit tim të origjinës, i cili arriti të pushtojë lirinë. Kanë ndodhur shumë gjëra vitet e fundit dhe lidhja midis Italisë dhe Shqipërisë, dy vende të ndara vetëm me 70 kilometra det, është e bukur.”, është shprehur Meta.

Ermali u ndal gjithashtu dhe tek koncertet e tjera që ka mbajtur në vendin e tij të lindjes. Përsa i përket turneut për albumin “Tribù urbana”, artisti tha se planet janë për në mars të 2022.

“Ishte emocion i pastër. Hera e parë që mbajta një koncert në Tiranë ishte në viitn 2018 në sheshin Skënderbej, kushtuar një heroi kombëtar shumë të dashur për vendin. Mendova se sa ndryshe ishte të kthehesha në një vend nga ku ika kur isha 13 vjeç. Dhe u ktheva “i madh” duke bërë punën që dua. Pastaj përsëri në vitin 2019 në Pallatin e Kongreseve.“, tregoi Ermali.