Atentati me tritol ndaj Aldi Mustafës të hënën në Shkozet të Durrësit mbetet pa autor, por si pistë kryesore policia ka ngjarjet ku ai mund të jetë përfshirë dhe lidhjet që ka patur me eksponentë të krimit në qytetin bregdetar.
Së fundmi janë zbardhur disa detaje nga dëshmia e tij dhënë para Oficerëve të Policisë Gjyqësore, por që sipas burimeve, nuk kanë qenë domethënëse për zbardhjen e ngjarjes.
“Nuk kam asnjë konflikt. Mendoj se ngjarja ka ndodhur për shkak se një vit e gjysëm më parë u arrestova, dhe mediat në atë kohë raportuan “u kap krimineli, u kap vrasësi me pagesë”. Kjo mbase ka nxitur të organizohet ngjarja me tritol, normalisht, duke përmendur emra dhe fakte të paqena, më kanë krijuar shumë probleme. Mendoj se nga kjo është nxitur ngjarja”
Lënda plasëse e vendosur në gomën e pasme, dyshohet se ishte e montuar me telekomandë dhe të ketë qenë e kontrolluar. Po nuk përjashtohet pista që shpërthimi të ketë ndodhur edhe nga një mesazh apo telefonatë e pavullnetshme.
Paraprakisht, dyshohet se autorët, apo porositësit, kanë patur për objektiv dhënie mesazhi, dhe jo të shkaktonin viktima. Gjithashtu, ka dyshime se shenjestra ka qenë në vëzhgim prej tyre, ku kanë pritur një zonë ku për momentin nuk kishte lëvizje, ndërsa makina e Mustafës po ecte me shpejtësi minimale.
Nëse automjeti do kishte qenë duke lëvizur me shpejtësi më të lartë, thonë burime nga grupi hetimor, do të krijoheshin kushte edhe të një aksidenti me pasoja përveç atyre nga shpërthimi./ORA NEWS