Në rast provokimi, Kora e Veriut do të hedhë bomba bërthamore në Korenë e Jugut dhe ushtria e saj do të përballet me një fat të tmerrshëm. Është ky premtimi i bërë nga motra e liderit të Penianit, Kim Jong Un.

Motra e Kim Jong Un, Kim Jo Jong, përmendi mundësinë e një sulmi me armë bërthamore kundër Koresë së Jugut. Paralajmërimi bëhet pak ditë pas testimit të një rakete balistike ndërkontinentale.

Sipas saj Korea e Veriut është kundër luftës, por nëse Korea e Jugut zgjedh përballjen ushtarake atëherë forcat bërthamore të veriut do të jenë të detyruar të reagojnë. Ajo theksoi se do të ishte një sulm i frikshëm dhe ushtria e Koresë së Jugut do të përballej me një fat të tmerrshëm, një hap larg shkatërrimit total.

Sipas Kim Jo Jong, fjalët e ministrisë së mbrojtjes së Seul e cila të premten diskutoi mundësinë e sulmeve shumë të shpejta në Korenë e Veriut, janë një gabim shumë i rëndë.

Vetë Kim Jong Un, të dielën kërcënoi se do të godiste objektivë në Seul nëse Korea e Jugut do të ndërmerrte veprime ushtarake të rrezikshme. Sipas analistëve të cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, fjalët e motrës së liderit koreanoverior, i drejtohen presidentit të ri të Koresë së Jugut i cili mban një qëndrim më të ashpër ndaj testeve te regjimit të Penian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Korea e Jugut janë të shqetësuara se pas testeve të raketave, Korea e Veriut do të rifillojë testimet bërthamore.