Edhe pse Copa America 2021 u zhvendos nga Argjentina dhe Kolumbia për t’u luajtur në Brazil për shkak të numrit të lartë të të infektuarve me COVID-19 dhe problemeve politike, kombëtarja albiceleste që drejtohet nga Lionel Scaloni vazhdon të mbetet një nga skuadrat favorite për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni dhe pse jo të fitojë edhe trofeun.

Trajneri i Argjentinës Lionel Scaloni ka publikuar listën përfundimtare prej 28 futbollistësh të cilët do të përfaqësojnë La Selecion në Copa America dhe ndër të përzgjedhurit e numrit 1 të stolit të Argjentinës bie në sy reparti ofensiv i cili përbëhet nga emra të rëndësishëm të cilët mund t’i futin frikën çdo kundërshtari.

Kapiteni Lionel Messi është ai që do të udhëheqë sulmin e kombëtares albiceleste edhe në këtë kompeticion ndërkohë që përkrah tij do të jenë emra të tillë si sulmuesi i Interit Lautaro Martinez, sulmuesi më i ri i Barcelonës Sergio Aguero, Angel Di Maria i Paris Saint Germain, Angel Correa i Atletico Madrid, Joaquin Correa i Lazios, Lucas Alario i Bayer Leverkusen dhe Nicolas Gonzales i Shtuttgart. Edhe në mesfushë nuk mungojnë emrat cilësorë pasi Scaloni ka marrë me vete në Copa America emra si Rodrigo De Paul, Leandro Paredes, Ezequiel Palacios, Giovani Lo Celso, Guido Rodriguez dhe Alejandro Gomez, i njohur nga të gjithë si Papu Gomez.

Në mbrojtje lojtarët me më shumë rëndësi te Argjentina janë Cristian Romero i Atalantës, German Pezella i Fiorentinës, Nicolas Otamendi i Benficës dhe Nicolas Tagliafico i Ajaxit ndërsa në portë spikat grumbullimi i Juan Musso së Udineses ndërsa tre emrat e tjerë të thirrur janë Armani i River Plate, Martinez i Aston Villas dhe Marchesin i Portos. Në Copa America 2021 që do të zhvillohet prej datës 13 qershor deri në 10 korrik, Argjentina bën pjesë në grupin A ose më saktë në grupin e skuadrave të zonës së jugut të kontinentit sëbashku me Uruguain, Kilin, Paraguain dhe Bolivinë.