Kreditimi për ekonominë u rrit ndjeshëm në muajin mars. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re arriti vlerën e 22.3 miliardë lekëve, vlerë kjo dy herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë krahasim duhet pasur sidoqoftë parasysh se në marsin e vitit të kaluar kreditimi u godit ndjeshëm nga shpërthimi i pandemisë, që pothuajse e paralizoi huadhënien e re në gjysmën e dytë të muajit. Megjithatë, kreditimi gjatë muajit mars është në vlera ndjeshëm më të larta krahasuar me janarin dhe shkurtin.

Rritja e kredisë është e shpërndarë në gjitha segmentet kryesore të tregut, përfshi kompanitë private, ato publike dhe individët. Kjo dëshmon për një tendencë më pozitive drejt rikthimit në ritmet e mira të kreditimit që u regjistruan pas mesit të vitit 2020. Për tre muajt e parë të këtij viti, sektori bankar ka dhënë 48 miliardë lekë kredi, 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kredisë së re ka dhënë një ndikim pozitiv edhe në ecurinë e portofolit total të kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, ai kishte vlerën e 610 miliardë lekëve, në rritje mujore me 2.6 miliardë lekë. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë ngelet në rritje vjetore pozitive, me rreth 2.2% më shumë.

Ngadalësimi i normës së rritjes krahasuar me muajt e mëparshëm lidhet pjesërisht me efektin e përkohshëm të kursit të këmbimit në mars të vitit të kaluar. Pas shpërthimit të pandemisë, euro u forcua ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër.

Kjo dha një efekt të përkohshëm edhe në vlerën e portofolit të kredisë në euro gjatë marsit 2020. Pas muajit prill, me stabilizimin e kursit, edhe vlera e portofolit të kredisë u “normalizua” për efekt të kursit. Një tjetër faktor që i ka frenuar ritmet mesatare të rritjes është tkurrja e portofolit të kompanive publike, duke filluar nga muaji prill 2020.

Në terma të tepricës së kredisë, gjatë marsit portofoli u zgjerua si për ndërmarrjet private, ashtu edhe për individët, me rreth dy miliardë lekë. Një rënie u shënua vetëm në segmentin e kredisë për kompanitë publike dhe për korporatat e tjera financiare, ndërsa kredia për kompanitë private dhe individët ishte në rritje, me rreth dy miliardë lekë secila.

Po ta krahasojmë vlerën e portofolit krahasuar me një vit më parë, në segmentin e individëve rritja është në nivelin 4.7%, ndërsa për bizneset private afërsisht 5%. Ndikim negativ japin sidomos kreditë për kompanitë publike, që kanë rënë me 53% krahasuar me një vit më parë.

Perspektivat e kreditimit për këtë vit ngelen pozitive, të nxitura nga përmirësimi i pritshëm i ekonomisë reale, shëndeti i mirë financiar i bankave dhe vazhdimi i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë./Monitor