Deputeti i PS, Alqi Bllako ka reaguar pas akuzave të njëpasnjëshme të bëra nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim, konkretisht vetë kryetarja Monika Kryemadhi, e cila e ka denoncuar në SPAK së bashku me ish ministrin e mjedisit, Lefter Koka i cili aktualisht gjendet i arrestuar për çështjen e ‘incerenatorëve’.

Me anë të një posti në rrjetin e tij social, Bllako ka shkruar se kjo ishte një hakmarrje personale që po bëhej për të ndotur imazhin e tij.

Reagimi i Plotë i deputetit, Alqi Bllako:

Prej disa kohësh, jam vendosur në shënjestrën e pronarëve të LSI-së për hakmarrje personale, jo për arsye parimore.
 Në respekt të transparencës dhe interesit publik, më duhet të sqaroj disa pika kyçe për të rrëzuar njëherë e mirë mashtrimet e LSI.
1 – Nuk kam pasur asnjë rol në dhënien e asnjë kontrate konçesioni, gjatë ushtrimit të detyrës, si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.
Ligji i Konçesioneve dhe Partneritetit Publik Privat përcakton se Sekretari i Përgjithshëm, nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në proçedurë, nëse nuk është pjesë e komisionit përgjegjës për dhënien e konçensionit. Nuk kam qenë kurrë anëtar i 3 komisioneve përgjegjëse për dhënien e 3 konçensioneve, për të cilat hidhen akuza. Nuk kam marrë pjesë kurrë në asnjë prej mbledhjeve të zhvilluara nga këto komisione.
2 – Nuk kam vepruar kurrë në konfilikt interesi, siç mashtrojnë me dashje kundërshtarët politikë.
Gjatë kohës së shpalljes së fituesit për impiantin e Tiranës nuk ushtroja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Fituesi është shpallur në 17 Gusht 2017 dhe kontrata është lidhur në 31 Gusht 2017. Kam ndërprerë mardhëniet e punës në Ministrinë e Mjedisit më 27 Korrik 2017 dhe jam emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë më 31 Korrik 2017.
3 – AKUM, agjenci që e kam drejtuar nga 26 Shkurt 2019 deri më 05 Mars 2021 ka ZERO lidhje me impiantin e Tiranës. Kjo agjenci nuk ka qene KURRË pjesë as në proçedurë, as në menaxhim. Kjo vlen njësoj për periudhat e si për drejtuesit para meje, ashtu dhe për ata pas meje.
AKUM nuk ka asnjë rol në politikbërjen apo menaxhimin e mbetjeve. AKUM është agjencia përgjegjëse vetëm për ndërtim infrastrukture në sektorin e mbetjeve.
4 – MË E RËNDËSISHMJA! Babai im nuk ka përfituar KURRË asnjë qindarkë prej meje.
Im atë është një nga sipërmarrësit e parë në vitet ‘90. Si inxhinier mekanik, i specializuar për industrinë është profesionist dhe sipërmarrës i mirënjohur në këtë fushë prej 31 vitesh. Nuk ka ASNJË konflikt interesi timin me punën e kryer prej tij në Impiantin e Tiranës, punë që e ka filluar 1 vit e 3 muaj, pasi isha larguar nga Ministria e Mjedisit dhe ushtroja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Presidencë. Im atë, ka lidhur një kontratë afatshkurtër me afat të përcaktuar, si përgjegjës për detajimin e projektit mekanik, pjesë kjo e projektit tërësor të zbatimit, projektim i ardhur nga një kompani ndërkombëtare.
ZERO vendimarrje e imja, në çdo hallkë të këtij proçesi! ZERO konflikt interesi!
Ata që akuzojnë kanë të drejtë vetëm për diçka! “Follow the money” dhe shumë shpejt do të mbërrijmë në destinacion!