Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, zhvilloi këtë të diel një bashkëbisedim me të rinjtë profesionistë në zonën e Kombinatit, me të cilët foli për problematikat e kësaj shtrese të shoqërisë.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në Kombinat me të rinjtë profesionistë:
Një tjetër investim i yni është taksa 1 për qind që ne kemi vënë për të ardhmen. Duket si e vogël por krijon një efekt, një impakt goxha të madh për buxhetin për arsimin. A duhen taksuar më shumë të pasurit më shumë për taksën e arsimit? Ndoshta po. Por le ta fillojmë njëherë sepse nuk taksohen. Ta fillojmë njëherë të vendosim një taksë 1 për qind, që nuk është vetëm për të pasurit, por kushdo do ta paguante taksën e arsimit, në momentin që do të shikonte që kjo do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në arsim.
Por nga ana tjetër, mungesa e një vizioni nga ana e qeverisë, ose ndërtimi i një strategjie për të folur në bazë të batutave, ose duke u marrë me të tjerët, nuk është se ne na krijon hapësira për të rritur punësimin, për të rritur cilësinë e arsimit, për të krijuar hapësira më shumë për vende të reja pune të mirëpaguara, përkundrazi i demoralizon njerëzit.
Ne si LSI jemi shumë të qartë në politikat tona. Ne kemi 5 prioritete, shumë të thjeshta, të cilat janë të prekshme dhe të realizueshme menjëherë, duke filluar nga 5 për qind rimbursim të shpenzimeve familjare.
Më pas për të vazhduar te projekti ‘Mëso dhe Fito’ i të rinjve që është një nga projektet shumë më të mira, për shkak sepse të rinjtë që janë në shkollat profesionale kanë mundësi që edhe të rriten profesionalisht, por njëkohësisht edhe të paguhen dhe të kenë mundësi të ndihmojnë familjen e tyre, ose edhe veten e tyre ekonomikisht.
Ndërkohë është edhe programi ‘Nga bebja në bebe’ që është për ju të rinjtë. Ne jemi të sigurt në momentin që fillojmë dhe mendojmë për të ardhmen.
Unë isha dje në Fier, Vlorë, Lushnje dhe ishte një djalë, që ishte disi më i zhdërvjellët se ç ‘duhet dhe më tha që i pëlqente ky programi ynë nga ‘bebja në bebe’, sepse më tha që edhe sikur të më ndodhë gjë mua, të paktën fëmija im, do të ketë mundësi që të shkollohet apo të ketë diçka për veten. Ky ishte djali i një polici të vrarë. Ndërsa sot, tha ai, edhe babai im është vrarë në krye të detyrës, por për mua nuk mendon njeri.
Shumë prej nesh kemi qenë në dilema kur kemi filluar të ndërtojmë familjet tona, sepse kemi menduar se ç’do të ndodhë me fëmijët tanë. Dhe në momentin që ne e eliminojmë një dileme të tillë për të ardhmen e fëmijëve tanë, sigurisht që motivimi i brezit të ri do të jetë shumë më i madh për tu rritur profesionalisht dhe ekonomikisht.
Një shoqëri që nuk mendon për të ardhmen e vet, normal që do të jetë e destinuar për të ‘vdekur’, ose për tu shuar, prandaj edhe ne si LSI fokusohemi shumë tek rinia. Ne jemi një parti që e mbajmë fjalën, na pëlqen të punojmë me të rinjtë. Mua personalisht më pëlqen të punoj me të rinjtë për shkak të energjisë, pozitivitetit që kanë, por edhe ëndrrave.
Vetëm kështu ne mund të ecim përpara për të bërë realitet ato prioritete që janë të mundshme.

Top Channel