Po bëhen pothuajse dy vite që nga shembja e spitalit Rajonal në Kurbin, si pasojë e tërmetit tragjik të ndodhur më datë 26 nëntor të 2019.

Banorët kanë dalë në protestë me pankarta në duar ku shprehin frustrimin e tyre për shkak të vonesave në rindërtimin e spitalit, pasi prej më shumë se dy muajsh kanë ndaluar punimet.

Me mungesën e këtij spitali, rreth 70 mijë banorë të Kurbinit kanë ngelur pa shërbim shëndetësor që prej 26 nëntorit të vitit 2019.

Qytetarët që kanë protestuar akuzojnë qeverinë për mos-korrektësi dhe mungesë transparence pasi ishte caktuar që projekti të përfundonte në datën 4 Qershor.

“Më 26 nëntor u tha që tërmeti dëmtoi spitalin dhe do të shembej plotësisht. Na thanë se do të ishte gati spitali i ri për 4 muaj, kanë kaluar pothuajse 2 vite. Ne jemi në kantierin e spitalit dhe ka dy muaj që kanë ndaluar punimet.

Këtu vetëm paraqiten disa roje dhe persona të cilët bëjnë sikur punojnë, por në fakt nuk punohet aspak. Ne e kemi ndërmarrë këtë protestë sot si përshkallëzim i kërkesave të njëpasnjëshme, nëse nuk do të ketë reagim, ne do të fillojmë protesta tek ministria e Shëndetësisë”– u shpreh njëri prej qytetarëve.