Sipërmarrësit e mallrave të akcizës janë ende në pritje të ndryshimit të çmimit të pullës fiskale. Kontrata e koncesionit me kompaninë “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.” e miratuar më 24 shkurt të 2011-s me afat 10-vjeçar vazhdon të jetë në fuqi.

Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka asnjë inicim për procesin e ri të dizenjimit dhe prodhimit të pullave fiskale, me qëllim lehtësimin sa më të madh të barrës fiskale të bizneseve. Më herët, burime nga Drejtoria e Koncesioneve në këtë ministri sqaruan për “Monitor” se ligjërisht kontrata përfundon në shkurt të 2021, por për shkak se zbatimi i një pulle fiskale ka nisur me vonesë, kontrata e koncesionit mund të shtyhet deri në 2023, por ende nuk ishte marrë vendimi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkesës së “Monitor”, në muajin shkurt, iu përgjigj se afatet e përfundimit të koncesionit përcaktohen qartësisht në kontratë. “Përcaktimet lidhur me afatin dhe datën e përfundimit të saj janë të përcaktuara në nenin 3 të kontratës së koncesionit ‘Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave’, miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011”. Për rrjedhojë çdo konfirmim lidhur me afatin gjykohet i panevojshëm për sa kohë që kontrata e ka të përcaktuar qartësisht atë”.

Drejtuesit e kompanive të importit dhe prodhimit të mallrave të akcizës ngrenë sërish shqetësimin e pagesave të tarifave të larta të pullave fiskale dhe se nga qeveria nuk ka vendim për ndryshimin e tyre. “Shqetësim për industrinë e birrës vazhdon të jetë akciza e lartë dhe sidomos kostoja e pullave fiskale që është 10-fishi i vendeve të BE-së dhe ato të rajonit. Parapagimet e akcizës dhe ajo e pullës fiskale i ka vënë në vështirësi industritë vendase, që megjithëse janë të licencuara dhe kanë dhënë siguri bankare si operatore të akcizës vazhdojnë të parapaguajnë akcizën dhe pullën fiskale”, nënvizon z. Luan Bregasi.

Në fillim të muajit shkurt, 11 importuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj të mallrave të akcizës, në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, kërkuan uljen e çmimeve të pullave fiskale. Biznesi kërkoi që me përfundimin e koncesionit, qeveria të miratojë tarifa të njëjta me vendet e BE-së. Nga krahasimi që sipërmarrësit u kanë bërë çmimeve që aplikon rajoni dhe BE-ja, rezulton se një biznes në Kosovë paguan 2,2 dollarë për 1 mijë pulla fiskale, në vendet e Bashkimit Europian paguhet 3 dollarë për 1 mijë pulla fiskale nga 24,2 dollarë që paguhet në Shqipëri për 1 mijë pulla fiskale.