Kryeministri Edi Rama është takuar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbahet në Neë York.

Lajmi është bërë me dije nga i dërguari special. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lajçak thekson se kanë diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Pata një takim shumë të dobishëm me Edi Ramën në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne diskutuam situatën në Ballkanin Perëndimor. Mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e tij për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkruan Lajçak për takimin me Ramën.

Sakaq, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara liderët e Ballkanit Perëndimor janë takuar me Shefin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të BE, Josep Borrell. /abcnews.al