Është zbardhur vrasja e dy vëllezërve, ndodhur rreth 23 vite më parë në qytetin e Vlorës. në lagjen pavarësia ku u ekzekutuan shtetasit me inicialet B.H dhe E.H. Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar për ngjarjen, edhe pse ka kaluar një periudhë mjaft e gjatë kohe nga vrasja.

Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës:

Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë. Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në vitin 1998, në Vlorë. Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë.

Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 2 vëllezër, shtetasit B. H. dhe E. H.

Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasit:

G. S., 47 vjeç, të cilit Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Vijon puna intensive për lokalizimim dhe arrestimin e këtij shtetasi.

(E.K/Faxweb.al)