Telefonat e thjeshte po bëjnë një rikthim të pazakontë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aspak të sofistikuar dhe kryesisht vetëm për të kryer telefonata apo për të dërguar SMS, këta celularë dolën nga tregu me ardhjen e smartphone-ve, por mesa duket kjo do të jetë “hakmarrja” e tyre.

Siç zbulojnë analistët, tregu në SHBA po mbahet i gjallë nga ata që cilësohen si millennials ( të lindurit mes viteve 1981-1996) dhe Generation Z (1990- 2010) për t’u “detoksifikuar” nga aplikacionet dhe rrjetet sociale.

Një trend ky i evidentueshëm edhe në TikTok, ku hashtage si #bringbackfliphones mbledhin miliona shikime.Në Shtetet e Bashkuara, sipas Counterpoint Research, shitjet e këtyre telefonave, do të arrijnë në 2.8 milionë këtë vit. Ata aktualisht përbëjnë rreth 2% të shitjeve të përgjithshme të telefonave celularë në tregun vendas.

Arsyet

Krahas dëshirës për një detoksifikimi digjital tek të rinjtë, kërkesa për telefona të lirë njëpërdorimëshe nga disa kategori konsumatorësh është faktori kryesor, si turistët që blejnë një telefon të dytë për periudha të shkurtra apo kompanitë që duan të ulin kostot.

Çmimi i këtyre pajisjeve varion nga 20 deri në 100 dollarë. Mos harrojmë këtu edhe vendet në zhvillim, ku lidhja me internetin është e ngadaltë.