Policia e Kolumbisë ka arrestuar një shqiptar, i cili akuzohet se ka lidhje me grupet e trafikimit të drogës në vendin amerikano-jugor. Sipas raportimeve në mediat kolumbiane është vënë në pranga Besnik Nikolli, i njohur në vendin latin me nofkën “El Gordo – I shëndoshi”.

Sipas policisë kolumbiane, që prej vitit 2021 ndaj Nikollit ishte lëshuar urdhërarresti nga autoritetet franceze dhe ishte në listën e personave më të kërkuar nga Interpol.

Sipas hetuesve kolumbianë, Nikolli kishte lidhje me grupe kriminale në Francë, Shqipëri, Holandë dhe Gjermani. Sipas asaj që raportohet në mediat kolumbiane, ai ishte i pranishëm në vend për të gjetur lidhje me grupe të ndryshme të narkotrafikut në vend.

Momentet e arrestimit të tij në qytetin Santa Marta, në krahinën veriore kolumbiane, Magdaelna, janë publikuar në mediat lokale atje. Nikolli shihet teksa i kontrollohen dokumentet dhe më pas arrestohet nga efektivët e policisë lokale.