Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u tha mediave italiane të dielën se origjina hebraike e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk e mohon faktin se ka elementë nazistë në qeverinë e tij, duke shtuar se Hitleri kishte gjithashtu gjak hebre.

Komenteve të bëra nga Sergei Lavrov u është përgjigjur ashpër ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid këtë të hënë.

“Kjo është një deklaratë e pafalshme dhe e egër dhe një gabim i tmerrshëm historik dhe ne presim një falje,” tha Lapid në një intervistë në Ynet.

Hebrenjtë nuk vranë veten në Holokaust,” tha Lapid. “Gjyshi im u vra nga nazistët. Të thuash se Hitleri ishte me origjinë hebreje është si të thuash se hebrenjtë vranë njëri tjetrin dhe ne nuk mund ta falim një krahasim të tillë”, tha ai.

“Më tërbon jo vetëm si ministër i Jashtëm, por edhe si një djalë që babai iu fut në geton e Budapestit. Atë nuk e vendosën hebrenjtë. Atë e vendosën nazistët,” tha ai.

“Nazistët persekutuan hebrenjtë dhe vranë gjashtë milionë prej tyre. Ukrainasit nuk janë nazistë. Vetëm nazistët ishin nazistë dhe ata kishin kryer një zhdukje sistematike të popullit hebre,” tha ai.

Lapid tha se priste që ambasadori rus të kërkonte falje në lidhje me komentet e bëra nga ministri rus.

Ambasadori është thirrur në Ministrinë e Jashtme për të sqaruar deklaratat.

“Para së gjithash, rusët duhet të korrigjojnë gabimin e tyre dhe të hapin librat e historisë”, tha Lapid

Në intervistën e së dielës, ministri i Jashtëm rus tha gjithashtu se disa nga antisemitët më të këqij ishin vetë hebrenjtë.