Besard Xhaferri efektiv i policisë kufitare në Portin e Durrësit është arrestuar për shpërdorim detyrë nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP). Sipas AMP-së efektivi 3-vjeçar, ka lejuar trafikun e armëve drejt Italisë.

Besard Xhaferri nuk kontrolloi një ‘Bizarke’ (Automjet që transporton makina) në të cilin u gjetën 2 pistoleta.

Kjo makinë ka udhëtuar me linjën Durres-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.

Gjatë kontrollit në Portin e Durrësit, skaneri ka dhënë dyshime, por efektivi e ka anashkaluar duke lejuar kalimin e mjetit.

Për arrestimin e policit ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili me anë të një postimi në Facebook thotë se procesi i vetëpastrimit të policise se shtetit vazhdon.

“Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë hetimit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Durrës është arrestuar një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Bashkëpunimi edhe më i ngushtë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme, sa i përket shkëmbimit të informacioneve lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari të paligjshme, do të kontribojë ndjeshëm në realizimin me sukses të procesit të vetëpastrimit dhe, mbi të gjitha, në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së organizatës së Policisë së Shtetit, si institucion kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ku besimi dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera dhe publikun përbëjnë kusht themelor”, shkruan ministri.

Hetimet vazhdojnë për përfshirje të punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari kriminale.