Nga Adriatik Doçi

Si u sabotua dosja e lobimit nga PD me para rusa dy vite më parë. Basha si Berisha dhe Meta, sulm prokurorëve që kërkuan hetimin e plotë të aferës. SPAK mund të rihapë dosjen nëse e konsideron provë të re raportin e inteligjencës amerikane .Inteligjenca amerikane, ndër më seriozet dhe të besueshmet në botë, ka konfirmuar financimin e Partisë Demokratike nga Rusia e Vladimir Putinit, duke nxjerrë zbuluar drejtësinë shqiptare, e cila në vitin 2020 mbylli pa ndëshkim dosjen e lobimit, duke çliruar nga akuzat Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin. Edhe pse kontratat e botuara në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së dhe lobisit Nicolas Muzi tregonin se PD-ja pagoi 500 mijë USD për lobim, njerëzit e drejtësisë në Shqipëri nuk ‘krijuan’ bindjen për të konfirmuar akuzat. 

Po si u ndanë prokurorët dhe gjyqtarët e Tiranës për dosjen e lobimit rus?

Në dhjetor të vitit 2019, prokurorët u ndanë në qëndrime sa i takon dosjes së lobimit. Prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha firmosën dërgimin e dosjes për gjykim, në limitet kohore, dhjetor 2019, me akuzën e falsifikimit për Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin. Prokurori Kol Hysenaj refuzoi të firmoste dërgimin e dosjes në gjykatë, me argumentin se hetimet nuk ishin zhvilluar të plota. 

Ish kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj kishte firmosur një udhëzim për dosjen hetimore, duke sugjeruar kryerjen veprimeve të tjera hetimore, si pyetja e Nicolas Muzin. Por, koha po skadonte dhe udhëzimi nuk ishte detyrues. “Por udhëzimi për çështje konkrete ka karakter jo detyrues për prokurorin që është i pavarur. Drejtuesi i prokurorisë ka konstatuar disa shkelje ku shihet që aktet e prokurorëve të çështjes, mundet të jenë të pavlefshme, por për shkak të respektimit të pavarësisë së prokurorit, pavlefshmëria e tyre mundet të deklarohet vetëm në gjykatë, në seancë paraprake”, tha në atë kohë Imeraj. 

Dosja shkoi në Gjykatën e Tiranës, ku akuzat për Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin u hodhën poshtë si të pabaza nga gjyqtari Lazër Sallaku. Përplasja mes prokurorëve do të reflektohej edhe në Apel. Edhe Gjykata e Apelit, me shumicë votash, vendosi të lërë në fuqi vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku. Pro shpëtimit të Lulzim Bashës votuan Shpresa Beçaj dhe Alaundin Malaj. Kundër rrëzimit të akuzës për falsifikim dokumentesh votoi gjyqtari Shkëlqim Mustafa. 

Si mos të mjaftonte heqja e akuzës së pastrimit të parave, Prokuroria nuk e ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë, një vendim ky i dyshimtë dhe në favor të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, i cili në atë kohë mbështeste Bashën, duke deklaruar se dosja ishte një trillim i Edi Ramës. 

Ndërkaq, qëndrimi i zonjës Elisabeta Imeraj për një hetim të thelluar mbi aferën e lobimit, nuk u harrua nga Lulzim Basha. Në prill të vitit 2021, Basha e quajti Imerajn “ikonë të korrupsionit dhe krimit”. Ishte e njëjta praktikë e ndjekur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilat kanë shantazhuar dhe sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët që kanë pasur në dorë aferat e tyre. 

Nga ana e saj, zonja Imeraj, duke iu përgjigjur Bashës, e cilësoi këtë të fundit ikonë të shpëtimit nga drejtësia me procedurë. “Nuk bie pre e asnjë presioni politik, ekonomik apo kriminal, as e ikonës së shpëtimit nga Drejtësia me Procedurë…. Presion që i bëhet një prokurore që ka 17 vjet në detyrë, që ka hetuar Saimir Tahirin e Shullazin. Deklarata e Bashës është sulm personal për shkak të dosjeve që ka në Prokurorinë e Tiranës, dhe për këto akuza do të përballet në Gjykatë”.  

A mund ta rihapë SPAK dosjen e lobimit nga Partia Demokratike me para ruse? Legjislacioni penal parashikon rihapjen e një çështje vetëm kur zbulohen fakte të reja. A mund të konsiderohet fakt i ri raporti i inteligjencës amerikane? Kjo mbetet në vlerësimin e SPAK-ut si dhe në vullnetin për të kërkuar prova ku bazohet raporti.

Shqiptarja.com