Ditën e djeshme një konflikt mes tre familjeve në Klos ka përfunduar në tragjedi ku kanë humbur jetën tre persona.

Viktima mbetën, babë e bir Kenado dhe Liri Shira. I riu 17 vjeçar ndërroi jetë në vend ndërsa i ati fillimisht përfundoi në gjendje të rëndë në spital ku edhe ndërroi jetë më pas.

Autori i ngjarjes, Fiqiri Mjeshtri, në pamundësi për të shpëtuar nga ndjekja e policisë, vrau veten.

Si ndodhi konflikti?

Mësohet se gjithcka nisi pas mesazheve në Instagram që Renato Hasula, 17 vjeç i shkruante vajzës së Fiqiri Mjeshtrit. Ky i fundit kishte kërkuar që të takohej me të afërmit e adoleshentit për të sqaruar konfliktin.

Renato Hasula ka shkuar në lokalin pranë shkollës i shoqëruar me babain e tij, Englantin Sula, ndërsa Fiqiri Mjeshtri ishte i shoqëruar nga dy vëllezërit e tij Besnik (polic bashkiak) dhe Fatmir Mjeshtri.

Në tavolinë, janë bashkuar dhe 17-vjeçari Kenado Shira dhe babai i tij Liri Shira, kjo për shkak se dy të miturit janë djem tezesh. Fatkeqësisht konflikti ka degraduar deri në përdorimin e armëve duke lënë të vdekur babë e bir, Kenado dhe Liri Shira.

Kamerat e sigurisë filmuan gjithçka

Një kamera sigurie ka filmuar të gjithë masakrën e ndodhur në Klos. Pamjet janë sekuestruar nga policia dhe pritet të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Gjendja shëndetësore e të plagosurve

Mësohet se 17-vjeçari Renato është i vetëdijshëm dhe në gjendje shëndetësore relativisht të mirë, kurse babai i tij, Eglantin, 39 vjeç është në gjendje të rëndë shëndetësore, me prognozë të rezervuar.