Ndryshimet e ndërmarra nga mazhoranca qeveritare në 10 Ligjet e Reformës në Drejtësi kanë hasur në kundërshtinë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Përmes një njoftimi për shtyp Komiteti thekson se këto ndryshime janë marrë pa asnjë konsultim dhe në kushtet e shpejtësisë duke cënuar Rregulloren e Kuvendit.

Njoftimi për shtyp i Komitetit Shqiptar të Helsinkit:

Paketa e ndryshimeve në 10 Ligjet e Reformës në Drejtësi miratohet në Kuvend pa një konsultim gjithëpërfshirës, në kushtet e “shpejtësisë” dhe në cenim të Rregullores së Kuvendit

Përmes medias, jemi njohur me miratimin në Kuvend të 10 projektligjeve të lidhura me paketën e Reformës në Drejtësi. Ligjet e miratuara janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më datë 25 shkurt 2021, dhe diskutimi e më pas miratimi i tyre në Komisionin e Çështjeve Ligjore ka ndodhur në datat 18 dhe 19 mars 2021, brenda një harku kohor 3 javor. Ato gjenerojnë 154 ndryshime dhe shtesa në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Civile, ligjet organike të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë, ligjet për organizimin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të reja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Teksa këto projektligje rezultojnë të jenë paraqitur me nismë individuale të disa deputetëve, tërheq vëmendjen fakti se në relacionin shoqërues të tyre thuhet se ato janë hartuar nën kryesimin e Ministrisë së Drejtësisë, nga një grup i posaçëm me përfaqësues të disa prej institucioneve të drejtësisë si dhe me mbështetjen e Misionit të Asistencës Euralius (dy prej projektligjeve kanë patur edhe asistencë nga Misioni OPDAT).

Organizatat e shoqërisë civile, duke patur në konsideratë rëndësinë e veçantë që ka kjo paketë ligjore në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe rrjedhimisht tek qytetarët, shprehin indinjatën për mungesën e transparencës dhe konsultimit gjithëpërfshirës në hartimin e saj. Teksa vlerësojmë faktin se disa prej institucioneve të sistemit të drejtësisë janë përfshirë në këtë proces konsultimi si dhe Misionet e Asistencës Ndërkombëtare, tërheq vëmendjen selektiviteti i këtij konsultimi, duke lënë jashtë procesit, organe të tjera të sistemit të drejtësisë si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese (për ligjin organik të saj), Shkollën e Magjistraturës, përfaqësues të trupës pedagogjike, shoqatat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatë si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile me përvojë në këtë fushë.

Pa dashur të paragjykojmë cilësinë e projektligjeve të paraqitura, në parim, vlerësojmë se mungesa e një procesi konsultimi gjithëpërfshirës, mungesa e transparencës, urgjenca për t’i diskutuar e më pas miratuar këtë paketë ligjore në seancë plenare para zgjedhjeve parlamentare si dhe mosrespektimi i dispozitave të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit krijojnë një atmosferë mosbesimi ndaj kësaj pakete.

Vlen të theksojmë se ndryshimet e miratuara sot në Kuvend prekin aspekte të rëndësishme në paketën bazë të reformës në drejtësi, të tilla siç janë ndryshimi i kriterit të vlefshmërisë së mbledhjes së posaçme në Gjykatën e Lartë, nga e cila varet kuorumi i nevojshëm për miratimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, kur organ emërtese është Gjykata e Lartë, ndryshimin e rregullave për përbërjen e trupave gjyqësore në gjykatat e Apelit dhe të Lartë.

Ndonëse një pjesë e këtyre ndryshimeve mund jenë të vlefshme për rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve, një pjesë e tyre do të ishin të panevojshme nëse do të ishte miratuar harta gjyqësore, një detyrim ligjor afati i së cilës ka vite që është tejkaluar për shkak të mungesës së vullnetit të institucioneve shtetërore me përgjegjësi në këtë proces.

Gjithashtu, çdo ndryshim në Kodet dhe ligjet procedurale që ul kuorumin e nevojshëm në përbërjen e trupave gjyqësore për një kategori të caktuar çështjesh duhet patur në konsideratë rreziku i korrupsionit, i cili është ende prezent.

Paketa e ligjeve janë shqyrtuar dhe miratuar me shpejtësi në cenim të Rregullores se Kuvendit, nga Komisioni i Ligjeve, në mbledhjet e datës 18 dhe 19 mars, në një kohë kur ato nuk figurojnë në programin e punës së Kuvendit për periudhën 1-26 mars 2021 .

Referuar njoftimeve zyrtare në faqen e Kuvendit të dt.23 mars, rezulton se me propozim të Kryetarit të grupit parlamentar të PS-së është propozuar për t’u diskutuar dhe vendosur në rendin e ditës së seancën plenare të Kuvendit po të kësaj date, shqyrtimi i 10 projektligjeve në fjalë . Pavarësisht se në kuptimin formalo ligjor kjo kërkesë rezulton të jetë në pajtim me nenin 31, pika 2 të Rregullores, në thelb, kjo procedurë për një paketë ligjore voluminoze dhe me peshë, cenon transparencën ndaj publikut dhe aktorëve të interesuar.

Në tërësi, organizatat e shoqërisë civile vërejnë se procedura e ndjekur është në shkelje të nenit 26, pika 2, nenit 27 dhe 28 të Rregullores të Kuvendit, të cilat parashikojnë rregullat për funksionimin e punimeve të Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione, të cilat kryhen sipas një programi të caktuar të miratuar paraprakisht nga Konferenca e Kryetarëve.

Gjithashtu, miratimi i këtyre ligjeve vjen në kundërshtim me nenin 83, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila ndalon shprehimisht zbatimin e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Ndryshimet e shpeshta në legjislacion, dhe të diktuara në kushtet e urgjencës kanë sjellë jo pak probleme në të shkuarën duke krijuar sërisht nevoja për ndërhyrje në periudhë afatshkurtër.

Organizatat e shoqërisë civile kanë theksuar jo pak herë publikisht se procesi i transformimit të drejtësisë, 4 vite pas miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, parashtron nevojën për një vlerësim analitik të plotë dhe të kujdesshëm të ecurisë së saj, me vetmin qëllim: nxitjen e zhvillimit cilësor dhe të shpejtë të sistemit të drejtësisë në drejtim të rritjes së eficencës, aksesit të qytetarëve si dhe uljes së ngakesës në gjykata.

Çdo nismë e ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave në kontekstin e lartpërmendur, është e mirëpritur, në momentin që ajo vjen në përputhje me standardet e duhura të procesit të ligjbërjes, garanton gjithëpërfshirje, realizohet me maturi dhe në kohë të arsyeshme, i mundëson transparencë të plotë publikut dhe çdo aktori të interesuar, shmang ndikimet potenciale të interesave të natyrës politike apo influencave nga jashtë sistemit duke përmbushur në këtë mënyrë qëllimin madhor të garantimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Faxnews