Një avion charter T7 WSS, i regjistruar në San Marino është ndaluar në Lusaka të Zambias, pasi në bord janë gjetur ngarkesa me shufra ari, “një mal” me para, armë dhe municione.
Më e rëndësishmja për hetimin është se në bord ka pasur disa pasagjerë të kombësive të ndryshme dhe dyshohet për bashkëpunëtorë të tjerë në terren.
Sipas Corriere della Serra, ndalimi i avionit nga shërbimet e antidrogës së Zambias në Lusaka është i veshur me mister.
Avioni mbërriti disa orë para se të mësyhej nga policia vendase, nga Kajro. Është i regjistruar në San Marino dhe i përket një kompanie charter me bazë në Dubai e Belgjikë, por shpesh fluturon në Afrikë ose Lindjen e Mesme.
Agjentët konfiskuan brenda mjetit fluturues 601 kallëpe ari, por analiza zbulon se ato janë bërë nga një “përzierje me një përqindje të lartë mineralesh me vlerë të ulët”.
Më pas ata gjetën çanta me mbi 5 milionë dollarë para cash, tre pistoleta dhe njëqind fishekë.
Në faza të njëpasnjëshme u arrestuan një biznesmen afrikano-jugor, disa zambianë, gjashtë egjiptianë që sapo kishin “zbarkuar”, më pas një holandez, një lituanez dhe një spanjoll.
Disa kanë pasur marrëdhënie me mbrojtjen në Egjipt në të kaluarën, duke përfshirë një ish-major, ndërsa të tjerë janë të përfshirë në trafik armësh, mashtrime në shkallë të gjerë dhe episode korrupsioni.
Skenari i rrëfyer nga mediat vendasë është në fakt ai i një mashtrimi.
Ai nis me avionin që solli blerës të mirëpritur në Lusaka nga shtetasi i Afrikës së Jugut, për t’iu treguar atyre në aeroplan një “dërgesë” me shufra ari, duke u ofruar ndoshta disa pjesë autentike të testuara dhe të vërtetuara.
Megjithatë, blerësit duan një shumë më të madhe dhe ndërmjetësi kërkon dhe merr një paradhënie – me sa duket me disa milionë dollarë – dhe premton se do të kthehet me pjesën tjetër të arit.
Me përjashtim të faktit që shërbimi antidrogë duhet të ketë marrë informacion, ndërsa policët morrën masa dhe ndërhynë duke kontrolluar avionin për të gjetur “thesarin”.