Një 27 vjeçare u arrestua në Mat pasi akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion motrën e saj 12 vjeçare. Rasti i abuzimit me të miturën u zbulua në fillim të dhjetorit, kur në pranga përfundoi një 47 vjeçar.

Detaje tronditëse dalin në dritë nga historia e abuzimit seksual me një 12 vjeçare nga Mati, ngjarje për të cilën një 47 vjeçar u arrestua në fillim të dhjetorit.

Pas gati një muaji hetimesh, policia ka arritur të provojë se e mitura është shfrytëzuar seksualisht nga e motra 27 vjeçare me qëllime përfitimi.

Kjo e fundit është vënë këtë të enjte në pranga, pasi mbi bazën e provave Gjykata e Matit ka caktuar për të masën e sigurisë arrest me burg.

27 vjeçarja akuzohet se e ka shfrytëzuar motrën e mitur për prostitucion në bashkëpunim me 47 vjeçarin Urim Cënuka.

Ky i fundit i arrestuar më 2 Dhjetor pasi 12 vjeçarja denoncoi abuzimin dhe shfrytëzimin seksual sikurse kërcënimet që i bëheshin për të mos treguar.

Familja e vajzës së mitur jeton në skamje në një fshat të Matit, ndërsa babai njihet si person ialkolizuar dhe i dhunshëm, ndërsa nëna me probleme të shëndetit mendor.

Pas denoncimit të abuzimit, 12 vjecarja është marrë nga shërbimet sociale dhe është dërguar në një qendër rehabilitimi.

Krimet seksuale ndaj fëmijëve kanë qenë të shumta përgjatë vitit 2020 që po lëmë pas përgjatë të cilit janë zbuluar histori tronditëse.

Sipas të dhënave  të policisë së shtetit 67 të mitur rezultojnë të dëmtuar nga dhuna seksuale, bilanc që nuk reflekton të dhënat për të gjithë vitin.

Por sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve numri i viktimave të dhunës seksuale është më i lartë pasi një pjesë nuk janë denoncuar.