Është ndaluar në Dubai dhe më pas liruar sërish, nga autoritet e policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Mikael Qosja, ose siç njihet ndryshe në Elbasan me nofkën “Keli i Kicit”.

Qosja është njeriu që prokuroria e Elbasanit, e akuzon si pjesëmarës në ekzekutimin e trefishtë të Enea Alibej, Albert Dylgjerit dhe turkut, Erdal Duranay ngjarje kjo e ndodhur në 29 dhjetor 2018 në Elbasan. 

Ora News mëson se komunikimi i urdhërit të arrestit, Mikael Qoses, i është bërë pak kohë më parë nga policia e Dubait. Por sërisht e njëjta polici ka urdhëruar lirimin e tij, duke i bllokuar vetëm pasaportën. Mikael Qosja, e ka të ndaluar të dalë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe njëherësh nuk mund të ekstradohet në Shqipëri, deri në fazën e dënimit ose jo të tij, nga drejtësia Shqiptare, raporton Ora News.

Sipas gazetarit Elton Qyno, Qosja rezulton të jetë person i skeduar nga policia e Elbasanit, për shpërndarje të heroinës dhe kokainës, në këtë qytet, ndërkohë në vitin 2013 është arrestuar dhe më pas shpallur i pafajshëm nga gjykata e Elbasanit, për akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Mikael Qosja, për shkak të problemeve me drejtësinë ka ndryshuar dy herë mbiemrin në (Kamani) dhe (Stefo).

Ndërkohë nga të dhënat e mbledhura nga policia e Elbasanit, rezulton se është anëtar i një grupi kriminal, grup ky që drejtohet nga dy vëllezër, rezidentë në Dubai, raporton Ora News.

.Pikërisht konfliktet e këtij grupi me fraksionin tjetër kriminal që drejtohej nga Enea Alibej (Tarzani) për shkak të dyshimeve të vjedhjes në Angli të 50 kg kokainë, kanë sjellë dhe vrasjen e trefishtë në kryqëzimin e Bradasheshit në fundvitin e 2018.

Për këtë ngjarje është identifikuar dhe shpallur në kërkim, Mikael Qosja, i cili mësohet të jetë zbuluar nga bashkëpunimi që ka bërë me policinë, vëllai i Eneas, Erjon Alibej, i cili momentalisht ndodhet në burg si njeriu i dyshuar për organizimin dhe financimin e vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.

Por problemet me drejtësinë shqiptare, për Mikael Qosjën, kanë nisur qysh prej vitit 2008, kur së bashku me mikun e tij Emiljano Ramazanin (Ili), kryenin shpërndarjen e lëndëve narkotike. Mikael Qosja, njihet ndryshe në Elbasan dhe si “Kel Kamani” apo si “Keli i Kicit”, raporton Ora News.

Ai është dënuar fillimisht me 8 muaj burgim për “Moskallëzim krimi” dhe më pas ka marrë pafajësi. Ndërkohë një dënim tjetër me 1.2 milion lekë të vjetra, gjykata e Elbasanit ka dhënë për Mikael Qosjan, pasi ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë. Dënimin e fundit, Mikael Qosja, e ka pasur në vitin 2019, pasi gjykata e Elbasanit e ka dënuar atë me 2 milion lekë të vjetra gjobë, për shkak se ka goditur me grushte një punonjës të policisë rrugore në Elbasan./Ora News