Perimet dhe zarzavatet të cilat përfaqësohen nga prodhimet e freskëta të fushës, kryesisht domate dhe kastravec vitet e fundit ishin shndërruar në një grup të rëndësishëm në eksporte me rreth 100 milionë euro shitje, por këtë vit situata nuk duket e mbarë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë periudhës janar-tetor, eksportet e zarzavateve arritën në 7.4 miliardë lekë (61 milionë euro) me rritje vetëm 1,5% në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Ritmet e rritjes së prodhimeve të freskëta të fushës janë ulur ndjeshëm këtë vit, pasi në vitin pandemik 2020 eksportet e këtij grupi ishin rritur më shumë se 10% në krahasim me vitin 2019.

Pandemia Covid-19, ndryshe nga sektorë të tjerë nuk e goditi bujqësinë dhe zinxhirin e saj, për arsye se një pjesë e madhe e buxheteve familjareve u përqendruan tek blerja e ushqimeve, kështu që kërkesa për prodhime bujqësore ishte e qëndrueshme gjatë pandemisë ndryshe nga artikuj të tjerë të tilla si veshjet. Por duket se vështirësitë kanë ardhur këtë vit për fermerët.

Rritja me gati 100 % e kostove të lëndëve të para dhe rënia e kërkesës për eksport ka sjellë dobësi në sezonin e dytë të të vjeljes kryesisht në sera

Teksa të gjitha degët e ekonomisë u rritën në gjysmën e parë të vitit 2021, sektori bujqësor më i madhi në vend për peshën në PBB (19%) dhe në punësim (42%) shfaqi dobësi.

Sipas INSTAT aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 0,61 % në tremujorin e dytë të vitit në raport me një vit më parë.

Fermerët në zonat prodhuese të vendit pohuan se, kostot për prodhimin e një kilogram domate e kanë kaluar çmimin e shitjes me shumicë të tyre, ndërkohë që kërkesa nga eksportuesit ka rënë.

Përfaqësues të kompanisë “Gogo” që eksportojnë prodhime të freskëta të fushës në Rajon raportuan se kërkesa e në muajin e fundit ka qenë e dobët.

Fermerët shqiptare, sidomos prodhuesit, ndryshe nga Rajoni dhe Europa, mbajnë të gjithë humbjet që vijnë nga luhatjet e tregjeve. Në Shqipëri mungojnë mekanizmat e mbështetjes për bujqësinë dhe sidomos për prodhuesit, të cilët janë të ekspozuar totalisht ndaj kushteve të motit, rritjes së çmimeve të lëndëve të para dhe kërkesave nga tregu.

Në Europë dhe vendet në zhvillim prodhuesit bujqësorë janë të mbrojtur nga prirjet dhe ndryshimet në tregje, për shkak të vështirësive që përballen dhe rëndësisë që ka puna e tyre dhe produktet që nxjerrin për shoqërinë./Burimi:Monitor