Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë pak minuta pas mesnatës së sotme. Njoftimi për ndarjen nga jeta të të porsalindurit është bërë nga Policia e Shtetit por nuk janë dhënë detaje se në cilin maternitet ka ardhur në jetë foshnja. Bazuar në informacionet paraprake, disa minuta pasi ka lindur, foshnjës i është përkeqësuar shëndeti, por ende nuk dihet shkaku i vdekjes.

Akuzat e babait të foshnjës:

Babai i foshnjës që ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në maternitetin në Tiranë, ka kallëzuar mjekët në Komisariatin Nr.1. 26-vjeçari A.Z, ka pretendime dhe i është drejtuar autoriteteve për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në një maternitet në kryeqytet mesnatën që lamë pas. Mësohet se 26-vjeçari pretendon se foshnjës nuk i është dhënë kujdesi i duhur, ndaj edhe ka ndërruar jetë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në njërin nga maternitetet e Tiranës, ndërsa nuk dihen shkaqet.

Njoftimi i policisë:

Paraprake: Më datë 28.07.2021, rreth orës 00:40, në maternitet, një foshnje e porsalindur dyshohet se si pasojë e përkeqësimit të shëndetit ka ndërruar jetë. Grupi hetimor vijon punën me veprimet për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.