Tragjedia e aksidentit të ndodhur në Kroaci ku vdiqën 10 shtetas shqiptarë të Kosovës ka shkaktuar përplasje të forta.

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, njëherësh edhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Infrastrukturë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të reflektojë e të veproj, pasi që sipas saj Kosova nuk ka funksionalizim të mirëfilltë të sistemit të reagimit emergjent.

E ftuar në emisionin Frontal në T7 ajo deklaroi se ka qenë fat në fatkeqësi që tragjedia ka ndodhur në Kroaci e jo në Kosovë, pasi që sipas saj do të kishte dyfish më shumë viktima.

“Ka qenë një fat në fatkeqësi që kjo s’ka ndodhur në Kosovë sepse do të kishim dyfish humbje jete si rezultat i mos aftësisë për të reaguar me kohë. Kjo duhet të trokas në ndërgjegjen e çdo përfaqësuesi të popullit që të veprohet menjëherë. Është nevojë imediate që Ministria e Shëndetësisë të reflektojë dhe të veprojë”, ka thënë ajo.

Ky qëndrim solli reagimin e menjëhershëm të Odës së Mjekëve. “Deklarimet e deputetes, znj. Albena Reshitaj të bëra më datë 27 korrik 2021, në Komisionin Parlamentar për Inftrastrukturë dhe të transmetuara në mediet, e cila lidhur me aksidentin e ndodhur në Kroaci në të cilin kanë pësuar mërgimtarët tonë, thotë se ka qenë fat në fatkeqësi që tragjedia ka ndodhur në Kroaci e jo në Kosovë, pasi që sipas saj, do të kishte dyfish më shumë viktima. Është për tu çuditur se si deputetja Reshitaj ka gjetur insipirim që të gjej fatmirësi në një fatkeqësi të tillë në kurriz të profesionistëve shëndetësorë dhe sistemit shëndetësor sado i brishtë të jetë ai”, deklaron Oda.