Në Baltik ka nisur një nga stërvitjet më të mëdha të NATO-s. Stërvitjet të quajtura ‘Iriqi’ përfshijnë 10 vende midis tyre Finlanda dhe Suedia, të cilat pritet të aplikojnë zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën brenda disa ditësh.

Stërvitjet në Estoni pritet të zgjasin deri më 3 qershor, teksa ata u organizuan që përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Vladimir Putin ka thënë se Rusia nuk ka asnjë problem me Finlandën apo Suedinë, por një zgjerim ushtarak pranë kufirit të saj do të sillte reagimin e Moskës.

NATO ka thënë se qëllimi i stërvitjeve është të “rrisë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë” e forcave të saj.

Rreth 15 mijë trupa janë të përfshirë në stërvitjen në Estoni, duke e bërë atë një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të mbajtura në vend që nga viti 1991.

Stërvitja po zhvillohet 64 km nga baza më e afërt ushtarake e Rusisë, me qëllim parandalimin e ndonjë sulmi të mundshëm të Moskës ndaj Estonisë.