Një makinë Tesla në “Full Self-Driving” përplaset me barrierën e korsisë së biçikletave

Një makinë Tesla Model 3 në modalitetin “Full Self-Driving” është regjistruar teksa përplaset me një barrierë të korsisë së biçikletave.

Kjo video u regjistrua gjatë një udhëtimi në San Jose, Kaliforni, nga një YouTuber me emrin AI Addict dhe tregon për herë të parë me “prova” se si Full Self-Driving mode është përgjegjës për këtë incident (min. 3:28).

Dhe pse drejtuesi i makinës shkel frenat dhe rrotullon timonin e makinës, ai nuk ishte në gjendje të shmangte përplasjen me barrierën, pasi sistemi AI e drejtoi makinën në cepin e rrugës. Gjithashtu në një moment tjetër në video Tesla Model 3 kalon një semafor të kuq dhe përpiqet të futet në korsinë e tramit.

Kjo video vjen vetëm disa ditë pasi Tesla u detyrua të tërhiqte nga tregu 54,000 makina pasi software-i FSD po lejonte makinat të ecnin në shenjat e ndalimit. Në shumicën e videove të AI Addict, drejtuesi pothuajse nuk ndërvepron fare me timonin e makinës, duke lënë teknologjinë autonome ta drejtojë atë.

Momentalisht FSD është e aftë për të bërë drejtimin në nivelin e dytë autonom. Kjo gjë do të thotë se sistemi mund të kontrollojë shpejtësinë dhe drejtimin e makinës, duke lejuar shoferin të largojë duart nga timoni për disa momente, por ai duhet të jetë vigjilent gjatë gjithë kohës për të ndërhyrë.

Me shumë mundësi në rastin e mësipërm sistemi nuk ka arritur të dallojë barrierën në korsinë e biçikletave, gjë që solli dhe përplasjen e makinës me të.