Historia që do të trajtohet ditën e sotme në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” ka të bëjë me një nënë 34 vjeçe e cila ka kërkuar ndihmën e emisionit, pasi gjendja dhe kushtet në të cilat ndodhet ajo dhe fëmija i saj 3 vjeç janë në kufijtë e tragjikes. 34 vjeçarja shprehet se është dhunuar nga njerëzit e bashkëshortit dhe është me urdhër mbrojtje.

E reja është në proces divorci me bashkëshortin për arsye të dhunës së herëpashershme nga familjarët e tij dhe ai. Sot 34 vjeçarja kërkon ndihmë për mbijetesë pasi ajo dhe djali 3 vjeçar ndodhen në kushte ekonomike të vështira dhe pa asnjë ndihmë. Mes lotësh ajo rrëfen rrugëtimin jetësor dhe jetën sociale, duke rrëfyer se për shkak të kushteve të shëndetit të fëmijës nuk mund të punojë dot. Ndiqni emisionin…

Gruaja: Njerëzit e burrit më urrenin, më kanë dhunuar dhe kunata më ka kërcënuar. Ata kanë ndërhyrë në raportin tim me bashkëshortin. Më pas, kur erdhi fëmija në jetë, kam bërë gjithçka për fëmijën tim. Isha një nënë, që mbroja fëmijën. Kur njerëzit nga ana e burrit kishin gëzime familjare, i thosha burrit që nuk kam ku të çoj fëmijën, sepse është me viroza dhe merr sëmundje më keq. Duke marrë parasysh vuajtjet e fëmijës, nuk shkoja, por ata mendonin se unë refuzoja të shkoja. Nuk i kam pasur kurrë krah. Vjehrri më kërkoi që ekonominë ta mbante ai. Unë e refuzova. Nuk më detyroi, por ma tha në mënyrë të lirshme e unë e refuzova. Unë kam dashur që të shikoj familjen time të ngushtë. I thashë burrit që të punonte, sepse kam fëmijën sëmurë dhe nuk punoj dot.

Fëmijën e kam sëmurë dhe dua ta bëj njeri, që nesër mos të ketë fatin tim. Bashkëshorti im kurrë nuk ka kuptuar vlerat e mia, më ka përjashtuar gjithmonë, më është sjellë sikur është komshiu im. Pas debatit, burri është rikthyer në shtëpi. Jam në proces divorci. Pres akoma nga bashkëshorti dhe deri diku ka ‘mbuluar’ për djalin, por janë të pamjaftueshme, shtëpia do, qiraja, dritat. Nuk ma kanë pranuar djalin në çerdhe e në kopsht, pasi më kanë thënë se duhet që prindërit duhet të jenë në punë me siguracione. Nuk punoj dot sepse e kam djalin të sëmurë, ai do të ndiqet rregullisht. Dua ndihmë, sepse nuk kam përkrahje.

(Balkanweb)