Frika për ndërprerjen e plotë të gazit nga Rusia përfshin Gjermaninë. Nga e hëna mbyllet rubineti i gazit të gazsjellësit NordStream për shkak të punimeve dhe nuk dihet nëse do të rrjedh gaz rus pas përfundimit të tyre.

Punimet e gazsjellësit lidhen me një turbinë të Siemensit, e cila duhet të vinte nga Kanadaja, dhe që vetëm në fundjavë mori dritën jeshile për transport. Kanadaja hezitonte me dhënien e lejes për turbinën e gazsjellësit, sepse do të shkelte sanksionet kundër Gazpromit.

Por në fundjavë qeveria në Otava dha një leje të kufizuar, që u përshëndet nga kancelari Scholz. Turbina e Siemensit do të dërgohet në Gjermani fillimisht, e pastaj ajo do të instalohet tek gazsjellësi, shkruan Deutsche Welle.

Ukraina u shpreh e zhgënjyer për këtë përjashtim nga sanksionet, duke përmendur, se kur vjen puna tek gazi, solidariteti europian shkon në limit. Por ministri kanadez për burimet natyrore, Jonathan Wilkinson, tha se pa furnizimin me gaz, gjermanët kanë rrezik të mos ngrohin dot shtëpitë e tyre në dimër, prandaj Kanadaja po e jep lejen.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz është i mendimit, se masat kundër ngushticave të furnizimit me gaz do të jenë të nevojshme  edhe përtej dimrit që vjen. Në një mesazh me video politikani i SPD-së u shpreh se “këto ditë na preokupon siguria e furnizimit me energji. Kjo do të na preokupojë ende në javët e ardhshme, muajt dhe vitet e ardhshme.”