Ashtu siç kanë edhe sloganin e tyre, “nuk ka kohë për pushim”, Partia Socialiste do të hapë nesër fushatën e saj elektorale në Sheshin Skënderbej, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo do të përkojë me një lirim të masave nga ana e Komitetit Teknik sa i takon grumbullimeve.

Mësohet se mitingu i hapjes së fushatës së PS-së do të nisë pasditen e nesërme në orën 18:00.

Rreth pasdites së sotme pritet që të ketë një mbledhje të Komitetit të Ekspertëve, që pritet të lehtësojë dhe masat kufizuese që janë në fuqi në vendin tonë, përfshirë dhe masën për ndalimin e grumbullimit të 10 ose më shumë personave.

Burimet thonë se gjatë fushatës partitë politike do të kenë dorë më të lirë sa i takon grumbullimeve me qytetarët. E gjithë kjo situatë përkon dhe me një rënie në shifrat zyrtare të infektimeve dhe vdekjeve me Covid, e cila në fakt i përgjigjet dhe një rënie të numrit të testimeve, që pothuajse janë përgjysmuar në krahasim me një muaj më parë.

(E.K/Faxweb.al)