Ish-prefekti i Tiranës dhe njëherës kandidat për deputet në qarkun e Tiranës nga radhët e PS-së Toni Gogu, ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax news, ku mes të tjerave është pyetur dhe për deklaratën e bërë dje nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Kjo e fundit kërkonte që Partia Socialiste të kishte një qëndrim të qartë publik për rastin e Tom Doshit, njësoj siç kishte bërë më herët dhe Partia Demokratike. Sipas Gogut PS ka ditur fare mirë që të ndërtojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët, dhe i ka kuptuar ata edhe kur nuk kanë folur fare.

“Partia Socialiste di të dëgjojë shumë mirë partnerët tanë strategjikë, kur ata heshtin dhe jo më kur ata flasin qartë. Janë një sërë momentesh historike në Shqipëri, kur partnerët kanë dëgjuar zërin e PS që të bashkëpunojë me ta, unë kështu do ta komentoja atë deklaratë”, u shpreh Gogu.

Sa i takon krahasimit të listave të PD-së dhe të PS-së në qarkun e Tiranës dhe jo vetëm, Gogu u shpreh: Listat janë lehtësisht të dallueshme, për shkak se ekipi i PS po drejtohet nga një person që e fillon punën shumë herët, tani që po flasim do jetë duke ndjekur procesin e vaksninimit, dhe nga ana tjetër kemi një person që ka kohë të shkruajë dhe libra.

Në krye të ekipit tonë ne kemi një inxhiniere dhe një mjeke që nuk kanë sosur misionin e tyre, në shërbim të qytetit dhe të pacientëve. Kemi një grup djemsh dhe vajzash të rinj, që do ta bëjnë Shqipërinë zgjedhjen e parë të shqiptarëve. Përballë kemi listën e shokut Kopi pa asnjë shahist, që nuk ka menduar për qytetarin, për sfidën e rimëkëmbjes së vendit, por ka menduar për një ujdi që mundet të nxjerri ca numra.

Për të sistemuar ca njerëz , që kanë qenë gjatë në skenën politike, dhe nuk e dimë çfarë mund të sjellin akoma. Është e qartë se kemi përballë një ekip që punon, përkundrejt një tjetri që ka vetëm dëshirë që të fitojë, që të vazhdojë me baltën. Të fitojmë pavarësisht çdo rregulli.