Home SPORT “Nuk jam i shqetësuar, lojtarët më bindin”, Enrike: S’kam parë asnjë ekip...

“Nuk jam i shqetësuar, lojtarët më bindin”, Enrike: S’kam parë asnjë ekip më të mirë se ne në Europian

20

Luis Enrike është i bindur se asnjë kombëtare nuk ka treguar më shumë superioritet sesa Spanja. Numri një i “Furisë së Kuqe” tregon se situata është shumë pozitive në prag të Zvicrës dhe do të bëjnë gjithçka për të kaluar në gjysmëfinale. Ai nuk është aspak i shqetësuar për golat e pësuar ndaj Kroacisë apo nga lodhja e minutave shtesë. “Luço” u beson verbërisht futbollistëve të tij dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme që sjell euforinë brenda grupit. Ai e di që Zvicra është një skuadër e vështirë për t’u mundur, por thotë se janë përgatitur ashtu siç duhet gjatë këtyre ditëve.

ZVICRA- “U kualifikua me meritë ndaj Francës. Më e mira apo e keqja e kësaj historie është fakti që dy kombëtaret e njohin mirë njëra-tjetrën. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Si bllok ata janë një nga ekipet më të mira të Europianit, për mënyrën si bëjnë presion dhe sulmojnë. Do të jetë e vështirë. Për tifozët nuk kanë shumë emra të mëdhenj, por…”.

SHQETËSIM- “Ne ishim superiorë në ndeshjen ndaj Zvicrës në Ligën e Kombeve. Kemi bërë dy ndeshje të luftuara. Për sa u përket golave të pësuar, sjellja e skuadrës është shumë e mirë dhe ka pasur disa gabime individuale, megjithatë jemi një nga kombëtaret më të mira në aspektin mbrojtës. Por sigurisht që kemi vend për përmirësim. Nuk ankohem pasi krenohem me ato që skuadra bën kur ka topin në këmbë”.

KRAHASIMI- “Nuk e di nëse është kjo Zvicër më e mirë sesa ajo e nëntorit. Unë mund të flas mirë edhe për Ukrainën dhe shihni ku janë. Petkoviç është një trajner i madh dhe ka 70 ndeshje në kombëtare. Janë skuadër e vështirë për t’u mundur”.

UNAI SIMON- “Nuk duhet të flasim shumë për këtë rast. Nuk ka rëndësi gabimi, por ajo që bëri pas gabimit. Kishte një refleksion pas ndeshjes. Problemi është gabimi si koncept. Nadal bën mirë kur thotë se keni memorie peshku. Nëse gabon një top, nuk shërben për asgjë që ta mbash mendjen aty. Duhet të mendosh për tjetrin. Këtë bëri Unai dhe jam i lumtur për të”.

LODHJA- “Numrat dhe statistikat që kam marrë nga GPS-ja janë impresionues, por futbolli nuk janë thjesht numrat, ka të bëjë aspekti emocional. Nëse jemi mirë me mendimet, do të jemi edhe fizikisht. Nuk e di nëse do të bëj ndryshime për këtë ndeshje. Të 24 futbollistët mund të luajnë”.

FORMACIONI- “Kam provuar disa gjëra dhe jam i kënaqur me skuadrën. Nuk mund të jap informacione. E kam thënë gjithmonë se formacioni jepet vetëm një orë përpara ndeshjes. Në të kundërt do të ndihmoj shumë kundërshtarin. Të gjithë janë në formë”.