Ish gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Posaçme GJKKO, për shuarjen e masës së arrestit dhe lirimin e saj nga qelia.

Në kërkesën e saj, ish gjyqtarja pretendon se duke llogaritur edhe paraburgimin, dënimi i saj ka përfunduar.

Kërkesa e saj do shqyrtohet nga gjyqtarët Miliana Muça, Igerta Hysi dhe Saida Dollani.

Do jenë këta gjyqtarë që do vendosin nëse ish kolegia e tyre do lirohet nga qelia apo jo.

Disa muaj më parë, Gjykata e Posaçme e dënoi ish-gjyqtaren Hoxha me 3 vite, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi 1/3 e uljes së dënimit.

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha u akuzua për “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Togat e zeza e dënuan ish-gjyqtaren Hoxha me 3 vite po ashtu edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik. Po ashtu shuma prej rreth 10 mijë Eurosh që u gjet në banesën e Enkelejda Hoxhës është konfiskuar.

Ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha dhe 9 të dyshuar të tjerë u arrestuan në Shkurt të vitit 2021 me urdhër të SPAK, pasi u akuzua për korrupsion dhe lirim të disa “të fortëve” të dënuar me burgim përjetë.

Hoxha vazhdon që të jetë në qeli që nga Shkurti edhe pse ka kërkuar nga ish-kolegët e saj një masë më të butë sigurie. Ajo ka argumentuar në vijimësi se nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e saj.