Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se tani që vaksina COVID-19 është fare pranë, vendet duhet të fillojnë të investojnë dhe të përgatiten për pandeminë e ardhshme.

“Pavarësisht paralajmërimeve prej disa vitesh, shumë vende nuk ishin të gatshme për COVID-19”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për koronavirusin. “Shumë vetë, gabimisht kishin menduar se sistemet e tyre të forta shëndetësore do t’i mbronin ata.”

Ai tha se vendet që janë marrë me koronavirusët e kohëve të fundit, përfshirë SARS-in, ose sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes, dhe MERS, ose sindroma respiratore e Lindjes së Mesme, si dhe sëmundje të tjera infektive, kanë pasur më shumë sukses në kufizimin e përhapjes së COVID-19.

“Tani të gjitha vendet duhet të veprojnë duke pasur parasysh përvojën e mëparshme dhe të investojnë në masat që do të parandalojnë, kontrollojnë dhe zbutin krizën e ardhshme,” tha Tedros.

“Është gjithashtu e qartë që sistemi global i gatishmërisë kërkon vëmendje.”

OBSH është kritikuar nga disa vende për trajtimin e saj të pandemisë pasi Kina raportoi rastet e para në fillim të këtij viti. Presidenti amerikan Donald Trump ka qenë një nga kritikët më të zëshëm dhe më 29 maj njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga organizata globale e shëndetësisë. Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka thënë se do ta përmbysë atë vendim kur të marrë detyrën në janar.

Shefi i OBSH-së theksoi nevojën që vendet e pasura dhe të varfëra të kenë qasje të barabartë tek një vaksinë COVID-19, duke thënë se vënia e shkencës në shërbim të të gjithëve nuk është bamirësi, por në interesin më të mirë të çdo vendi. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të rimendojnë rrënjësisht se si i japin përparësi dhe e shohin shëndetin nëse duan të shmangin një krizë tjetër të përmasave të ngjashme.