Një moment i paparashikuar ndodhi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscars pasi Will Smith u ngrit papritur nga vendi i tij dhe goditi me shuplakë komedianin Chris Rock.
Chris Rock u shfaq në skenë dhe bëri shaka me modelin e flokëve të Jada Pinkett Smith, bashkëshortja e Will Smith. Chris Rock përmendi se flokët e Jada-s (të rruara) janë të denja për “G.I Jane 2” duke iu referuar filmit ku aktorja Demi Moore (në rolin e personazhit Jordan O’Neil) rruan kokën.
Arsyeja pse Jada ka prerë flokët lidhet me alopecia-n, një gjendje mjekësore që shkakton rënien e flokëve. Siç duket, Will nuk e priti mirë komentin e Chris Rock. Edhe vetë Jada bëri një shikim që nënkuptonte bezdisje nga përmendja e flokëve.
Will u ngrit, shkoi drejt Chris, e goditi me shuplakë dhe më pas bërtiti me tone të ashpra që Rock të mos e përmendte emrin e gruas së tij. Referuar komenteve online, përplasja e tyre nuk duket e stisur, megjithëse duhet thënë se Will fillimisht u duk sikur qeshi me shakanë, para se të ngrihej për ta gjuajtur.