Profesori Ervin Karamuço paralajmëron qytetarët që të kenë kujdes në Sheshin Skënderbej, sepse atje vepron një grup që vjedh portofola dhe celularë. Ai thotë se vetëm para një ore kanë ndodhur dy raste të reja, ndërkohë që nga Policia s’ka asnjë reagim.

“Meqenëse nuk njofton Policia e Shtetit, kam detyrim moral dhe qytetar ta bëj unë. Lutem kini kujdes në Sheshin Skënderbej, sepse vijon vjedhja e qytetarëve me anë të kanosjes me armë.

Megjithëse u arrestuan dy persona para 4 ditësh, një tjetër grup vijon të sulmojë qytetarët dhunshëm, duke ju marrë portofolat dhe celularët. 2 raste të reja kanë ndodhur para 1 ore”, shkruan eksperti dhe profesori i Kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Më datë 24 dhjetor, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e dy të rinjve, respektivisht një 20 vjeçari dhe një 16 vjeçari, sepse nën kërcënimin e thikës dhe një pistolete false, grabisnin qytetarë të ndryshëm që dilnin për të shijuar atmosferën festive te Sheshi Skënderbej.

“Në kuadër të operacionit “Saga”  u arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 14-vjeçar.

Shërbimet e Policisë i kanë arrestuar në flagrancë këta shtetas, në sheshin “Skënderbej”, pasi duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika) dhe me një pistoletë false, u kishin vjedhur sendet personale, 3 shtetasve, gjatë ditëve të fundit”, njoftoi Policia e Tiranës pesë ditë me parë. Megjithatë, duke se ky fenomen vazhdon.