Vendi turistik për të kaluar pushimet dimërore

Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, është një prej destinacioneve më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj në çdo stinë, por dimri mbetet periudha më e mrekullueshme për ta vizituar.

Në këtë sezon, ky Park shndërrohet si një skenë filmi magjik , pasi  duket sikur natyra e derdh atë në negativ, e nuk mbetet tjetër veçse të hysh në fantazinë e tij.

Në fillim shfaqen disa fusha, derdhur në dëborë, të pamata, që nëse i ndjek, ikin e ikin larg, derisa takohen me malet,  gjithë formë dhe plastikë. Një fenomen ky i jashtëzakonshëm i natyrës, që na vjen nëpërmjet fotove në këtë stinë, ku bora ka pushtetin e saj.

Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” ka një florë dhe faunë unike dhe bukuri marramendëse.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan, ka publikuar një fotogaleri nga Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”.

“Monitorim i faunës së egër me sy të lirë, nëpërmjet gjurmëve e shenjave në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, thuhet në njoftimin e publikuar.

“Shkëmbinjtë gëlqerorë zënë një pjesë në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, të cilët kanë një funksion të rëndësishëm ekologjik. Ata përmbajnë një gamë të gjerë mineralesh, të cilët hyjnë në shtresën e tokës, gjithashtu ndihmojnë në zvogëlimin e aciditetit të tokës, duke krijuar një habitat më të favorshëm për jetën e egër”.

Është e mahnitshme të mendosh se si toka, shkëmbinjtë, flora dhe fauna e egër bashkëveprojnë së bashku duke formuar një sistem të tillë ekologjik.

Parku Kombëtar i Ekosistemit Shebenik – Jabllanicë, shtrihet në verilindje të vendit tonë, në kufijtë e administrimit pyjor të Librazhdit dhe ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësore ato jo prodhuese, shkëmbore, si dhe trojet.

Parku shtrihet brenda kufijve të Bulqizës, Steblevës me rrugën Librazhd- Dorëz, ura e lumit Rapun, pranë fshatit Zagosht, shkalla e Lunikut, fshati Llangë dhe Fushë Studen.Këto ditë të para të Janarit  janë ditët ideale për të vizituar një ndër vendet më të bukura që ka Shqipëria. Vitetë e fundit në shumë fshatra të këtij parku janë bërë edhe investime në bujtina ku mund të kaloni disa ditë relaksuese.