Partia Demokratike nuk do të njohë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, sipas deklaratave të deri më tanishme të anëtarëve të tyre, duke qenë se ata pretendojnë se procesi zgjedhor nuk ka qenë i rregullt.

Mësohet se ata kanë marrë dhe hapin e parë konkret për kundërshtimin e këtyre zgejdhjeve, duke qenë se ditën e diel PD pritet të dorëzojë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën për shpallje të pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit për 9 qarqe në vend.

Dosja me provat ku bazohet ky ankimim do të dorëzohet të dielën nga ekspertët ligjorë të PD-së. Për 9 qarqet, Kukës, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, PD kërkon që të ketë rivotim.

Sipas fakteve dhe provave që kandidatët e PD-së, numëruesit dhe vëzhguesit kanë mbledhur në terren mbi parregullsitë, mazhoranca ka përdorur burimet shtetërore për të manipuluar rezultatin e 25 prillit.

Kërkesa e PD-së nuk bën fjalë për hapje të kutive apo rinumërim të votave, po shpallje të pavlefshme të rezultatit për të 9 këto qarqe pasi sipas tyre provohet se procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejt dhe vullneti është deformuar.

Ndër provat që PD do të paraqesë para KAS janë punësimet e fundit në administratë në tre muajt e fundit, dyfishimi i ndihmës ekonomike apo përdorimi i aseteve shtetërore në zgjedhje si dhe fakte të tjera si dhënia e dëmshpërblimeve për tërmetin 26 nëntorit të dhënë javën e fundit para zgjedhjeve.
Ankimimi i PD në KAS do të bëjë automatikisht që KQZ të shtyjë me të paktën 20 ditë shpalljen e rezultatit përfundimtar të rezultatit për zgjedhjet e 25 prillit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rezultatin paraprak për 25 prillit i jep Partisë Socialiste 74 mandate, PD 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.

(E.H/Faxweb.al)