Kryeministri Edi Rama ka thirrur në takim liderët e partive politike të Maqedonisë së Veriut. Mediat maqedonase raportojnë se takimi do të zhvillohet të martën (10 janar) në Tiranë.

Pjesë e këtij takimi do të jenë kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi.

Ndërkohë, kreu i Besës, Bilall Kasami ka deklaruar se nuk do të ulet në të njëjtën tavolinë me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin. Ky i fundit, ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“Ne si Lëvizje Besa nuk kemi fare dilema tek qëllimet politike për të mirë të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga ana e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama. Shqetësimi ynë është te qëllimet dhe hilet politike të BDI-së dhe të Ali Ahmetit.

Ne, si Lëvizje Besa, i përgjigjemi pozitivisht ftesës së kryeministrit Edi Rama mirëpo nuk kemi nevojë dhe nuk e shohim të arsyeshme të ulemi në një tryezë me BDI-në e Ali Ahmetin çdoherë kur ai ka nevojë për ta shpëtuar vetveten”, deklaroi Faruk Avziu, zëdhënës i Besës.

Në ftesën e Ramës nuk bëhen të ditura arsyet e këtij takimi, por mësohet se ai do të fokusohet te mbështetja për ndryshimet kushtetuese dhe reformat për integrimin në BE.

Një takim i të njëjtit format me liderë të asaj kohë, Ahmeti, Sela, Kasami, u organizua nga Rama në Tiranë më 29 dhjetor 2016, nga i cili doli një Deklaratë e përbashkët e partive politike shqiptare për ruajtjen e interesit të shqiptarëve.

Ajo parashihte barazi të plotë gjuhësore përfshirë shqipen në Kushtetutë, zhvillim të barabartë rajonal, komision ndërkombëtarë për zbardhjen e plotë të rasteve të montuara si dhe një debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë.