TIRANË – Nuredin Dumani, “killeri” që u arrestua pak kohë më parë në Fier, është penduar dhe ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.

Sipas News24, Dumani ka fituar statusin e të penduarit dhe tashmë pritet të hidhet dritë mbi shumë ngjarje kriminale që lidhin pas emrit të tij dhe bandave kriminale.

Marrja e statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, do të thotë tronditje nga themelet e botës së krimit, për shkak se Nuredin Dumani, krahas hesapeve të tij, akuzohet edhe si vrasës me pagesë që është përdorur nga bandat kriminale për të eliminuar kundërshtarët.

SPAK pritet të vijojë aksionin dhe të lëshoj urdhër arreste. Ka dyshime se Nuredin Dumani merrte porosi edhe nga grupe kriminale jashtë vendit.

Dumani, ishte një prej personave më të kërkuar në vend. Ai u arrestua në Fier më 29 Mars (2022) kur po merrte ndihmë mjekësore pasi ishte plagosur në aksin rrugor Elbasan-Cërrik ku ishte nisur për të kryer një atentat. Së bashku me të u arrestua edhe Henrik Hoxhaj, i cili gjithashtu ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.

Emri i Nuredin Dumanit del në pjesën më të madhe të dosjeve për vrasjet e kryera në Elbasan, Peqin e Durrës në 2 vitet e fundit.

Dosja kryesore në të cilën Dumani akuzohet si bashkëpunëtor i Talo Çelës, është ajo e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në pranverën e 2020-ës. Pas kësaj vrasje, dyshohet se marrëdhënia e tyre u prish, e kjo për shkak se Prokuroria e Elbasanit beson se Dumani është ekzekutor i Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.