Manchester City e ka nisur shumë mirë sezonin e ri. Pasi fitoi ndeshjen e parë në transfertë 0-3 ndaj Burnley, ekipi kampion i Premier League fitoi edhe Superkupën Evropiane, një trofe që erdhi për herë të parë në historinë e klubit, ashtu si Champions League.

Por më e vështira nuk ka ardhur akoma. Këtë e thotë edhe trajneri Pep Guardiola, i cili shprehet se do të jetë një sezon shumë më i vështirë se ai i sezonit të kaluar, pasi tashmë tifozët kanë pritshmëri të larta. Nuk mund të mungonte edhe një koment për shpenzimet marramëndëse të rivalëve, kryesisht të Chelsea, që në pak kohë ka disbursuar 1 miliard euro në merkato.

“Nuk merrem se çfarë bëjnë klubet e tjera, por një e them me siguri, nëse Manchester City do të kishte shpenzuar si Chelsea, me siguri që sot ne do të ishim masakruar me kritika. Ne do të vazhdojmë të ruajmë ekuilibrat pa parë se ç’bëjnë rivalët tanë” – u shpreh Guardiola, i cili nuk përjashton asnjë skuadër nga lufta për titullin kampion në Premier League.

Problemi i vetëm, sipas tij, është ngjeshja e kalendarit, teksa bën që shumë lojtarë të dëmtohen. “Në dy javë 4 ndeshje, nuk ke kohë të rikuperosh energji, kjo i vret lojtarët. Pastaj vijnë ndeshjet e kombëtareve dhe më pas ato evropiane. Futbollistët nuk janë robotë, duhet të gjendet një zgjidhje” – përfundoi Guardiola.

(BalkanWeb)