Një 56-vjeçar i akuzuar për plagosje ka rënë në prangat e policisë së Kurbinit.

Bëhet me dije se është arrestuar shtetasi  Besnik Selmani 56 vjeç, banues në Milot, pasi pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet që ka plagosur me armë gjahu çifte shtetasin Besnik Pula 49 vjeç, banues në Krujë, i cili pas mjekimit në spital, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka nodhur më 7 mars, ndërsa ditës e sotme është finalizuar operacioni policor i koduar “Laguna”, ku u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit Selmani në një banesë të braktisur në fshatin Fushë Milot, Kurbin, ku ishte fshehur e strehuar.

Njoftimi i policisë:

Kurbin / Finalizohet operacioni policor “Laguna” mbi dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur datë 7 Mars në Patok, ku mbeti i plagosur shtetasi B. P.

Lokalizohet dhe vihet në pranga në një banesë të braktisur, 56-vjeçari autor i dyshuar.

Policia i gjen dhe sekuestron armën e gjahut çifte të dyshuar të përdorur në ngjarje.

Me datë 07.03.2023, në Lagunën e Patokut, Kurbin, shtetasi B. S. 56 vjeç, banues në Milot, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet që ka plagosur me armë gjahu çifte shtetasin B. P. 49 vjeç, banues në Krujë, i cili pas mjekimit në spital, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë shpallur në kërkim policor si dhe kanë vazhduar kontrollet e pandërprera duke vlerësuar e verifikuar edhe çdo informacion policor të administruar mbi vendndodhjen e autorit të dyshuar, me qëllim kapjen dhe vendosjen e tij përpara përgjegjësisë ligjore penale.

Si rezultat, gjatë ditës së sotme, është finalizuar operacioni policor i koduar “Laguna”, ku u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit B. S. në një banesë të braktisur në fshatin Fushë Milot, Kurbin, ku ishte fshehur e strehuar.

Gjithashtu, në momentin e kapjes, iu gjet e sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut çifte, e dyshuar e përdorur ditën e ngjarjes, të cilën e kishte të regjistruar me leje përkatëse në emër të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin për veprat penale ” Vrasje me dashje’ mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi e mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.