Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt ka depozituar këtë të shtunë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksionevem ankesën  sa i takon rrëzimit të kërkesës së tyre për regjistrimin, si subjekt politike garues në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi tha më herët gjatë ditës së sotme se KQZ do të dalë me vendim për PD, pasi të skadojë afati prej 48 orësh, pra në mesnatë.

“Do presim të kalojë afati 48 orë dhe menjëherë do të vendosim. Një ditë më pas është edhe çështje e aspektit të ngarkesës. Natyrisht duke pasur në vëmendje se ka një afat për regjistrimin e koalicioneve si dhe për kryetar këshilli apo anëtarë të këshillit bashkiak. Nuk mund të shkelen këto afate. Afati mbaron në orën 12″,  u shpreh Celibashi.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së Alibeaj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Indrit Sefa i  bëri thirrrje Ilirjan Celibashit që të marrë vendimin sot, pasi s’ka pse të vonohet duke qenë se Partia Demokratike nuk do të dorëzojë asnjë dokument tjetër shtesë.

Gjithashtu edhe Sali Berisha ka depozituar sot në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve vendimin e marrë nga komisioneri Ilirjan Celibashi me datë 9 mars, për të kthyer mbrapsht dokumentacionin për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit.

“Lëvizja Bashkë” e drejtuar nga Arlind Qori ka ankimuar vendimin e KQZ për mosregjistrimin si subjekt zgjedhor për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit.