Teksa në 9 qendra votimi në bashkitë pa kryetarë po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjen e kandidatëve për primaret e Komisionit të Rithemelimit për zgjedhjet e 6 Marsit, ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi mbështetësit e tij në Foltoren e radhës në Vaun e Dejës.

Berisha deklaroi se primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve duke theksuar se shumë shpejt me votën e tyre qytetarët do të zgjedhin edhe këshilltarët, deputetët e deri te kryeministri.

“4 muaj më parë premtuam këtë praktikë. U angazhuam para jush se do rikthejmë votën e lirë. Sot ajo po ushtrohet nga mijëra demokratë. Primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve tuaj. Me votën tuaj do zgjidhni jo vetëm kryetarët e bashkive por edhe këshilltarët e tyre, deputetët tuaj, do zgjidhni në një të ardhme të afërm edhe kryeministrin tuaj. Merr fund praktika e emërimeve nga lart.

E zarfeve dhe pakove me euro për të fituar emërimin. Emërimi do jetë atribut i vullnetit tuaj të lirë për çdo zyrtar që ju përfaqëson ju. Ne besojmë se pa votën e lirë nuk ka liri të vërtetë dhe ju jeni dëshmitarë si këto 8 vite vota e lirë u syrgjenos nga shoqëria shqiptare. PS nga viti 2009 e deri më sot nuk ka bërë asnjë votim të lirë në gjirin e saj. Votoi në vitin 2009 që të mos votohej më për kryetarin”, tha Berisha.

Ai tha se Basha mashtroi qytetarët duke deklaruar se në një sallë me 1958 karrige ka marrë 5004 vota.  “PD e drejtuar nga Lulzim Brava degradoi në atë shkallë që tejkalon e imagjinatën e Garcia Maruqezit. Para kamerave u tha shqiptarëve se aty ku ishin, 1958 karrige janë ulur 5004 delegatë me 5004  vota.

Sot PD duke vendosur primaret i jep fund kësaj situate tmerrësisht të papranueshme. Korruptive dhe totalitare. Rikthen te anëtarësia e saj votën e lirë. Rikthen dinjitetin e tyre. Njeriu që nuk voton i lirë e ka dinjitetin e shkelmuar. Dhe ju këtë nuk e meritoni. Nuk do respektonte votën e lirë të shqiptarëve në rast se nuk respekton votën e anëtarëve të saj”, deklaroi ai.

Ish-kreu demokrat theksoi se ata që do zgjedhin qytetarët do japin llogari vetëm para tyre dhe jo para kryetarit.

“Ne do kalojmë nga përfaqësuesit e kryetarit te përfaqësuesit e qytetarit. Ata që do zgjidhni do japin llogari vetëm para jush. Kjo rrugë e drejtë asnjë pasuri më të madhe nuk ka një komb, se pasuritë e lirisë. Përpiqemi të kthejmë lirinë në një vend që ka potenciale natyrore më shumë se çdo vend tjetër në botë. Shqipëria është vend i begatë. Ajo kërkon vetëm një gjë. Lirinë dhe të drejtat e qytetarëve të saj.

8 vite nën qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria u kthye në protektorat të krimit. Në diktaturë droge dhe korrupsioni, në një shtet që shtyp egërsisht qytetarët e saj. Të shkojmë pak te nënë Liza që donte të flijohej për votën e saj familjare. Sepse një shtet barbar pa moral dhe ligj e njofton sot për nesër se do të prish shtëpinë. Në çdo vend qeveritë dhe shtetet bëjnë plane, prishin banesa, hapin rrugë. Ndërtojmë blloqe të reja. Të gjitha këto bëhen duke respektuar ligjet dhe të drejtat e qytetarëve. Nuk mund të shkosh si pushtues i egër”, u shpreh Berisha