Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan Në lidhje me një rast të transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Stop”, gjatë të cilit një shtetase 20 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe pretendon se një 70-vjeçar kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me të dhe se shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik nuk kishin vepruar konform ligjit, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale për këtë rast, ju bëjmë me dije se:

Menjëherë sapo shtetasja V. C. ka kallëzuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Cërrik, mbi dyshimet e saj se shtetasi F. H. kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me vajzën e saj 20 vjeçe që vuan nga probleme të shëndetit mendor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik kanë regjistruar kallëzimin, kanë referuar materialet në Prokurorinë e Elbasanit dhe në drejtimin e kësaj prokurorie, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, me qëllim zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale të shtetasit F. H. Veprimet hetimore për zbardhjen e këtij rasti, të drejtuara nga

Prokuroria, kanë qenë në përmbushje të plotë të detyrave funksionale dhe konform procedurave standarde e ligjore. Këto veprime kanë konsistuar në: ndalimin e shtetasit F. H., marrjen në pyetje të 20-vjeçares, në prani të psikologut, marrjen në pyetje të shtetasve V. C. dhe F. H., ballafaqimin e deklarimeve të këtyre 3 shtetasve, si dhe kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim zbulimin e së vërtetës mbi këtë rast.

Konkluzionet e këtyre veprimeve hetimore, janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan e cila ka vendosur procedimin në gjendje të lirë të shtetasit F. H., 70 vjeç, banues në Belsh. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan i ka caktuar 70-vjeçarit, masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.

Policia e Elbasanit siguron qytetarët dhe median se veprimet e kryera, me qëllim hetimin dhe zbardhjen e paligjshmërive, janë në përmbushje të plotë të detyrave funksionale të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, fton qytetarët dhe median që të denoncojnë çdo paligjshmëri duke iu garantuar reagim ligjor, të menjëhershëm dhe të paanshëm./