Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot arrest me burg për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Arlind Gjokutaj dhe dy drejtorëve në këtë institucion, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Gjokutaj, përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori i çështjeve ligjore Fatmir Hoxhaj janë vënë sot në pranga, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar duke i transferuar shuma të mëdha parash shtetasit Ilir Thana duke e trajtuar si ish-pronar.

“Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH. [Ilir Thana], në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015”, bën me dije prokuroria.

Sipas Prokurorisë e gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cënon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.