Deputeti demokrat, Tomor Alizoti, ka folur mbrëmjen e sotme për protestën e 7 korrikut që u mbajt para Kryeministrisë, duke e cilësuar si madhështore dhe jashtë pritshmërive.

Ai u shpreh në një intervistë në “ABC News” se dalja e qytetarëve në protestë ishte një shenjë zemërimi ndaj qeverisë, duke shtuar se populli nuk doli për Berishën, ashtu siç u përfol më herët.

“Protesta ishte madhështore. Protesta janë shumë të domosdoshme dhe shumë të bukura që ndodhin. Unë kisha një pritshmëri që do ishte shumë e madhe, por kur e shikon kupton që ishte madhështore dhe i bën shumë mirë Shqipërisë. Protesta shpreh zemërimin e popullsisë ndaj një qeverie e cila ka kapur të gjitha institucionet, nuk prodhon për shoqërinë dhe është bërë arrogante. Arroganca nxori shoqërinë në shesh. Ishte një protestë përtej surprizave”, u shpreh Alizoti.

Deputeti i PD tha ndër të tjera se interpretimet për protestën janë të ndryshme. Por sipas tij protesta edhe pse në vetvete nuk ishte për Berishën, e fuqizoi këtë të fundit.

Të parët ishin militantët, pjesa tjetër ishin neutral dhe pjesa tjetër mund të ishin edhe ata që nuk e donin. Mendoj se ky është suksesi, që të gjitha këto grupe mendonin se Berisha është i vetmi që mund të bëjë opozitë ndaj Ramës. Njerëzit nuk dolën për Berishën por dolën se duan të protestojnë. Kjo është një maratonë e gjatë. Protesta duhet strukturuar në një kauzë që të përfshijë njerëzit. Duhet të përfshijë zonën gri, njerëzit sepse është e tyre, nuk mund të personalizohet”, tha deputeti i PD.