Gjatë viteve të fundit Google ka ruajtur një stil të thjeshtë në serinë e smartphone-ve Pixel, por ky vit duket të jetë viti i eksperimentimit me pamjen e jashtme të tij. Kompania është më në fund gati të sjellë një dizajn më special dhe të hedhë tej pamjen e “mërzitshme”.

Ndryshimi i parë do të jetë ofrimi i dy modeleve 6 dhe 6 Pro, ndryshe nga viti i kaluar ku Pixel 5 ishte i vetmi “flagship” i prodhuar. Pixel 6, sipas renders të publikuara duket të jetë disi më i vogël se modeli 6 Pro dhe do të ketë vetëm dy kamera, një kryesore dhe një ultra-wide, ndërkohë që Pixel 6 Pro do të ketë dhe një sensor të tretë, me shumë mundësi një telephoto. Shpresojmë që sensorët e përdorur këtë vit të jenë update-uar, pasi ato ekzistentë janë disi të vjetër.

Këto render nuk janë marrë direkt nga Google, por janë krijuar nga palë të treta të cilët janë bazuar në fotografi reale të smartphone-ve. Në pjesën e parme prerja hole-punch e kameras do të ndodhet në qendër dhe bezels janë pothuajse të papranishme.