Thirrje Vëllazërore e Kryesisë së QBNF Elbasan drejtuar liderëve të partive politike të Qarkut tonë.
 Fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit duhet të udhëheqë partitë politike në fushatën zgjedhore.

Si të gjitheë banoret edhe Komunitetet fetare në Qarkun e Elbasanit po jetojnë me atmosferën e fushatës zgjedhore të 25 Prillit qe sapo ka nisur këto ditë, dhe me keqardhje pamë se kjo fushatë u ballafaqua me incidente ndermjet dy forcave politike kryesore që në hapat e para, e pikërisht në një ditë të shënuar për Elbasanin, duke njollosur festën e Ditës së Verës me akte dhune ndërmjet simpatizantëve të tyre.
E njëjta skenë është përsëritur sot edhe në Labinot. Kjo qasje konfliktuale e cila është larg frymës së qytetarisë elbasanase jo vetëm nuk na nderon të gjithëve por edhe cënon qetësinë dhe harmoninë me të cilën shquhet qyteti ynë.

Krerët fetarë edhe më parë kanë parashtruar se fryma e urrejtjes dhe mostolerancës është e dëmshme dhe na çon drejt konflikteve të hapura.

Edhe një herë drejtuesit e komuniteteve fetare të Q. B. N. F u bëjnë thirrje lidereve të partive politike të tregohen të matur e të përmbajtur duke paraqitur me mençuri dhe urtësi programet dhe kandidatët e tyre tek banoret e Qarkut tonë, që në mënyrë të qetë e lirisht të zgjedhin alternativën që është më afër kërkesave të tyre. Ndaj u bëjmë thirrje lidereve te partive, kanditateve dhe simpatizanteve te tyre, të tregohen të matur e qytetarë në sjelljet e tyre!

Lutemi dhe mbetemi me shpresë që zëri dhe shqetësimi ynë do të gjejë mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjitha palëve, cituan drejtuesit e Q.B.N.F!