Shpenzime të larta, të ardhura të ulëta dhe koncesione. Paradoks ekonomik, por zgjidhja është e thjeshtë. 1 miliard USD borxhe të tjera dhe të gjithë pranë qeverisë mbeten të kënaqur.

Buxheti i vitit 2022, sipas shifrave të qeverisë, parashikon më pak të ardhura se sa do të mblidhen këtë vit. Edhe pse në shifër absolute duken si më shumë, në realitet qeveria do të mbledhë 19.3 lekë të ardhura për 100 lekë prodhim, ndërkohë që këtë vit po mbledh, me të njëjtat taksa, 19.8 lekë. Pra, duket sikur po legjitimon mospagesën. I njëjti parashikim vërehet edhe në zërat e tjerë të të ardhurave, si të ardhurat lokale, të ardhurat për sigurime etj. Duket se me të njëjtin nivel taksash, biznesi do të paguajë më pak taksa. Në fakt, një logjikë sekrete ka. Qeveria parashikon rritje të lartë ekonomike dhe si rrjedhojë, taksat duken të ulëta.

Qeveria këtë vit i rikthehet fort politikës së koncesioneve duke sfiduar dituritë dhe këshillat e FMN-së, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian. Ekonomistët e qeverisë Rama, jo vetëm nuk po tërhiqen nga PPP-të, por sfidojnë të firmosin në një vit të vetëm plot 2.1 miliardë euro koncesione të reja. Aktualisht, qeveria u paguan 13 bizneseve rreth 13,826 miliardë lekë (138 milionë USD), për koncesionet e firmosura vitet e kaluara. Kësaj fature do t’i shtohen edhe 6 koncesione të tjera, ku do të thyhet edhe një tjetër rekord. Me një firmë të vetme, qeveria do të angazhohet të paguajë 178,200,000,000 lekë.

Shifra e frikshme me shumë zero është 1,782 miliardë USD, ose sa 10% e GDP-së dhe do të përdoret për “dhënien me koncesion të një segmenti rrugor Milot-Fier në autostradën adriatiko-joniane”, rrugë e cila u anulua gjatë këtij viti, por që duket se është shumë joshëse dhe rikthehet vazhdimisht. Qeveria do të japë me koncesion edhe kontrollin teknik, kolaudimin e makinave, me një kosto prej 200 milionë USD, si dhe rikthen koncesionin e sigurisë rrugore, me vlerë 50 milionë USD.

E dashuruar me fluturimet, qeveria do të firmosë edhe 56 milionë USD për aeroportin e Sarandës. Shifra e koncesioneve që parashikon qeveria për vitin 2022 e çon në 851,239,091,288 lekë (rreth 8.5 miliardë USD) shumën e të drejtave të dhëna me koncesion. Nga viti 1990 deri në vitin 2021 ishin është 6.3 miliardë USD koncesione.

Por bizneset e qeverisë nuk duan vetëm koncesione, por edhe investime. Qeveria do të marrë 1 miliard USD borxh për të financuar projektet e tuneleve dhe rrugëve që vijnë e zvarriten prej vitesh. Rreth 120 milionë USD do të shpenzohen për ndertimin e rrugëve me financim të brendshëm, ku pjesën më të madhe, me nga 50 milionë USD, e merr tuneli i Llogorasë dhe unaza e Tiranës.

Ndërkohë që në buxhet vijojnë të paguhen para për ndërtimin e “bypass”-it të Shkodrës, që duhet të futet në librat e keqmenaxhimit të një projekti. E filluar në vitin 2011, sërish pas 11 vitesh, në vitin 2022, do të vijojë pagesa për ndërtimin. Sikundër për rrugët 10-vjeçare KardhiqDelvinë apo Qukës – QafëPlloçë, të nisura në kohën e qeverisë Berisha dhe të zvarritura duke u shtrenjtuar koston nga qeveria Rama 1, Rama 2 dhe sërish Rama 3.