Home ELBASANI SOT Qyteti i Elbasanit do të presë vizitorë nga e gjithë Shqipëria

Qyteti i Elbasanit do të presë vizitorë nga e gjithë Shqipëria

18

Qyteti i Elbasanit është zbukuruar dhe me aktivitete të ndryshme do të presë vizitorë nga e gjithë Shqipëria për të festuar sipas traditës Ditën e Verës.

Gjithashtu zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe lokalë do të jenë prezent ditën e sotme në Elbasan.

Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit.fx